Plani i arkitektit japonez për të strehuar refugjatët ukrainas

25 Mars, 2022 - 7:45 pm

Arkitektit japonez, Shigeru Ban, fitues i çmimit prestigjioz Pritzker në 2014, ka krijuar struktura akomodimi prej kartoni në një qendër pritjeje në Paris, për t’ju mundësuar refugjatëve ukrainas privatësi gjatë qëndrimit aty përkohësisht.

“Njerëzit nuk mund të pushojnë siç duhet nëse nuk ka privatësi” shprehet Ban, ndaj ka ngritur aty strukturat e tij të famshme.

“Kam mbi 27 vjet që punoj në zonat e fatkeqësive. Gjithmonë njerëzit duhet të evakuohen pas fatkeqësive natyrore në hapësira të mëdha si kjo qendër, por nuk ka privatësi. Njerëzit nuk mund të pushojnë mirë nëse nuk ka privatësi, kështu që unë kam zhvilluar këtë sistem me letër të ricikluar dhe kartonë. Është shumë i lirë dhe gjithashtu i lehtë për t’u ndërtuar shpejt, dhe materiali është i disponueshëm pothuajse kudo në botë”, tha arkitekti Shigeru Ban.

Ndërsa përgjegjësja për pritjen e refugjatëve, Sihem Habchi, tha se po punohet me Kryqin e kuq për strehimin e përkohshëm të e refugjatëve ukrainas.

“Këtu jemi në qendrën Paradis, e cila ka marrë emrin nga gjimnazi Paradis,  që u vu në dispozicion nga Këshilli i Qytetit për të pritur njerëzit që ikin nga Ukraina.  Ne punojmë me Kryqin e Kuq dhe në këtë qendër presim kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Një pjesë e tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Por ka edhe fëmijë që janë shumë dinamikë, ka lodra gjithandej këtu, kështu që sapo mbërrijnë, luajnë, kërcejnë dhe bëhet kënd lojërash”.

Edhe nënkryetar i bashkisë së Parisit, Arnaud Ngatcha, e falënderoi arkitektin japonez, i cili me këto struktura ndihmon refugjatët për të gjetur hapësirën e tyre private dhe intimitetin e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme