Platformë digjitale për historinë e Prishtinës

15 Maj, 2024 - 10:15 pm

Historia qindravjeçare e Prishtinës tash e tutje do të mund të njihet edhe përmes platformës digjitale “Prishtina në histori”.

E krijuar nga “Trembelat”, kjo platformë prezanton qindra dokumente origjinale për Prishtinën, që nga shekulli i 13-të.

Përmes një komunikate për media, “Trembelat” kanë bërë të ditur se platforma digjitale (qerthulli) “Prishtina në histori” përmbledh një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13-të deri në vitet e para të shekullit XX.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20-të, shumica prej tyre, siç thuhet në komunikatë janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.

Në anën tjetër, po sipas komunikatës, shumë studime të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

“Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti (Prishtina në histori)”. thuhet në komunikatën e ‘Trembelave”.

Po sipas komunikatës, në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht, pjesa më e madhe e tyre, sic thuhet më tej në komunikatë, janë botuar në këtë fazë fillestare.

“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të qasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,”- citohet të ketë thënë në editorialin e kësaj platforme, redaktori i saj, Yll Rugova.

Platforma është iniciativë e “Trembelave” me siglën botuese “Varg” e mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës, të cilët edhe kanë mundësuar qasjen në dokumentet nga arkivat osmane, që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv./zëri/KultPlus.com

Të ngjajshme