Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin

9 Mars, 2025 - 4:23 pm

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar këtë të dielë bregdetit të Vlorës për të shijuar motin e ngrohtë me diell.

Edhe pse sezoni i plazhit ende nuk është çelur zyrtarisht, shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar fundjavën dhe rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja buzë detit në Vlorë është plot edhe në këto ditë të marsit, ndërsa qytetarë të tjerë zgjodhën të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, i cili po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Fluksin turistik në rritje e dëshmojnë edhe strukturat hoteliere të cilat flasin për rritje të rezervimeve nga turistët e huaj.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e  ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

Të ngjajshme