Plazhe, laguna, kulturë e kulinari, Xhani: 1.4 milionë turistë vizituan Lezhën

18 Tetor, 2024 - 8:58 am

Lezha me bregdetin dhe lagunat e saj, sitet kulturore e historike, peizazhet mahnitëse tërheq pushues vendas dhe të huaj, trend që vijon në rritje prej vitesh tashmë.

Potencialin më të madh e ka turizmi bregdetar pasi plazhet e Lezhës, Shëngjini, Talja apo Rana e Hedhun frekuentohen masivisht.

Fluksi më i madh i turistëve regjistrohet gjatë sezonit veror, edhe pse Lezha ndërthur natyrshëm turizmin bregdetar me atë historik e natyror.

Janë rreth 1. 4 milionë turistë që e kanë vizituar Lezhën gjatë periudhës janar-tetor 2024, ndërsa kryesojnë sërish pushuesit nga Kosova me 75% të prenotimeve.

Edhe këtë vit pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shëngjinin si destinacionin e tyre të preferuar për të kaluar pushimet me familjet.

Turistët e huaj, të cilët vijnë kryesisht nga Gjermania, Italia, Franca, Republika Çeke, Zvicra, Polonia dhe Ukraina zënë 20% të shifrës së përgjithshme, të ndjekur nga pushuesit nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë me 5%.

Statistikat u bënë të ditura nga Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës, i cili në një intervistë për ATSH-në u ndal te arritjet e këtij sezoni turistik, por edhe sfidat me të cilat u përballën autoritetet vendore për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit.

Rreth 1.1 milionë turistë zgjodhën bregdetin e Lezhës 

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, plazhet e Lezhës tashmë janë bërë destinacioni kryesor për pushuesit nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Këtë sezon veror janë rreth 1.1 milionë turistë dhe vizitorë që i janë drejtuar plazheve të Lezhës.

“Nga raportet për muajin qershor dhe korrik rezultojnë 700 mijë turistë. Për muajin gusht rezultojnë 500 mijë turistë që përdorin strukturat akomoduese dhe janë rreth 100 mijë turistë ditorë që shfrytëzojnë plazhet qytetit të Lezhës. Përqindjen më të madhe e zënë shqiptarët e Kosovës me 75 % të prenotimeve, por është vënë re gjithnjë e më shumë një rritje e numrit të turistëve nga vende të ndryshme të botës, më së shumti nga Gjermania, Zvicra, Ҫekia, Italia, Maqedonia dhe nga Kanadaja e Amerika”, u shpreh Xhani për ATSH-në.

Bregdeti i Shëngjinit vijon të mbetet zgjedhja kryesore e turistëve, i kompletuar me një sërë shërbimesh, i ndjekur nga plazhi i Ranës së Hedhun.

Xhani theksoi se si rrjedhojë e rritjes së numrit të turistëve, por dhe rritjes së monitorimit të strukturave akomoduese nga bashkia Lezhë, janë rritur dhe të ardhurat nga vjelja e taksës së fjetjes me 30 % më shumë se vitin e kaluar.

Por, sipas tij, “ky nuk është rezultati përfundimtar pasi është akoma në proces vjelja e taksës së fjetjes dhe kjo do të vazhdojë deri në dhjetor 2024”.

Turizmi historik dhe ai kulinar, “magnete” për turistët e huaj

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Xhani theksoi se Kalaja e Lezhës në total ka pasur 5837 vizitorë nga janar i vitit 2024 deri në gusht 2024, duke sjellë një rritje prej 65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur ka ka pasur rreth 4 mijë vizitorë.

Për sa i përket lëvizjes së turistëve në Zonat e Mbrojtura të Qarkut Lezhë, Xhani tha se për muajt maj – korrik në Kune u regjistruan gjithsej 3728 vizitorë, në Vain – Tale 4540 dhe në monumentin e natyrës Rana e Hedhun gjithsej 13 543.

Po ashtu në Memorialin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë pritur 17.270 vizitorë nga janar 2024 deri në gusht 2024.

Lezha vitet e fundit është bërë e njohur për gastronominë ideale, pra për gatimet e shijshme, shërbimin cilësor, çmime të arsyeshme që janë vlerësuar edhe nga turistët vendas dhe të huaj ku këtë vit ka pasur 250 mijë vizitorë.

Turizmi historiko-kulturor zë një pjesë të rëndësishme të turizmit ku merr një pjesë të konsiderueshme me rreth 30 mijë turistë.

Xhani bëri të ditur për ATSH-në se nga muaji shtator ka pasur po ashtu një rritje të konsiderueshme të turistëve të huaj të organizuara në ture nga agjenci turistike, të cilët kanë vizituar më shumë atraksionet historike dhe kulturore.

Harta e turistëve të huaj që kanë vizituar Memorialin e Skënderbeut gjatë muajit shtator është zgjeruar duke arritur në turistë nga 32 shtete.

“Gjatë muajit shtator, Muzeu Etnografik dhe Memoriali kanë pasur 2.149 vizitorë, të cilët vijnë nga shtete si Anglia, Spanja, Italia, Kosova, Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Izraeli, SH.B.A, Poloni, Zvicra, Islanda, Hungaria, Austria, Australia, Kanada, Peru, Kina, Portugalia, Kroacia, Danimarka etj”, tha Xhani.

Interesi, sipas tij “ka qenë i lartë dhe për objektet religjioze si Kisha e Shën Eufemisë, Kisha e Shën Barbaras dhe Kisha e Shën Premtes”.

Xhani u ndal edhe te sfidat me të cilat janë ndeshur autoritetet vendore gjatë këtij sezoni veror, ndërsa veçoi si problematikë situatën nga zjarret.

“Problematikat që janë hasur gjatë muajit gusht kanë qenë të lidhura me zjarret masive që kanë rënë në malin e Shëngjinit, në afërsi të portit. Ndërhyrja e institucioneve përkatëse ishte e menjëhershme, duke marrë masat e nevojshme për t’i evakuuar pushuesit. Puna ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ku edhe është bërë e mundur shuarja e vatrave të zjarrit dhe rikthimi i normalitetit”, tha ai./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme