9 Maj, 2020 - 8:29 pm
Plazhet e Strugës dhe Ohrit këtë sezon do të duhet të përshtaten me masat për mbajtjen e distancës, nëse duan të punojnë. Edhe pse ende priten rekomandimet e Qeverisë, kompetentët vlerësojnë që koncesionerët duhet ngadalë të përgatiten. Nëse në një plazh verën e kaluar kanë ardhur deri në 100 persona, tani do të vijnë 50 ose 30 pushues. Një pjesë e koncesionerëve thonë që kjo nuk do të ketë leverdi ekonomike.
“Mendoj që asnjëri nuk do t’i plotësoj kriteret. Sepse nuk do të paguhet kurse futemi në harxhime të mëdha. Thjesht mund të sigurojmë mjete për dezinfektim, të dezinfektohen shazllonet dhe pajisja. Të kemi distancë sociale mes njerëzve dhe asgjë më shumë” – tha Ilija Xheparoski- ish koncesioner.
Nga Qendra e shëndetit publik në Ohër tashmë kanë njoftim se si do të organizoheshin plazhet këtë sezon.
“Nëse qëndrojnë ulur dy apo tre persona, patjetër të mbajnë maskë. Maska mbrojtëse është e obligueshme të paktën për momentin. Si do të jetë në periudhën verore, do të shohim. Do të respektohen të gjitha masat dhe rekomandimet për mbrojtjen e notuesve nga rrezitja e deri në hyrjen në ujë. Nëse deri më tani rregulli ishte që në 4 metër katror duhet të jetë një pushues, supozoj që kjo do të jetë më gjerë. Besoj që edhe distanca e shazlloneve dhe peshqirëve do të jetë më e madhe” – u shpreh Sasho Toçkov- Qendra e shëndetit publik, Ohër.
Në disa vende turistike në botë tashmë janë vendosur pengesa të tejdukshme të plastikës mes mysafirëve në plazhe dhe kafene. Pritet që këtë ta rregullojnë koncesionerët e plazheve. Në disa vende evropiane, vizita e plazheve mund të përkufizohet edhe sipas moshës, që të evitohet kontakti me kategoritë më të moshuara të njerëzve dhe personat e prekur me sëmundje kronike.
Ndryshe, nga Kryqi i kuq i Ohrit thonë që edhe puna e shpëtimtarëve këtë verë duhet të përshtatet. Ata do të kenë rol t’i vizitojnë notuesit se si duhet të sillen, por edhe t’i denoncojnë parregullsitë pranë institucioneve kompetente.