Pllaka e Majave i rikthehet Guatemalës

27 Tetor, 2021 - 11:29 pm

UNESCO organizoi një ceremoni për dorëzimin vullnetar të një pllake guri të epokës së Majave, e zhdukur nga zona arkeologjike Piedras Negras në Guatemala në vitin 1960.

Dorëzimi iu bë Ambasadorit të Guatemalës nga një koleksionist privat.

“Kam kënaqësinë të përshëndes dhe falënderoj vullnetin e zonjës Manichak Aurance, kompanitë private, si dhe institucionet publike dhe organizatat shumëpalëshe dhe shoqërinë civile për gjestin e pranimit të dorëzimit vullnetar të fragmentit që u mor nga toka jonë, ” tha ambasadori Francisco R. Gross Hernández.

Kjo pllakë u zhduk nga zona Piedras Negras në vitin 1960. Ajo u rishfaq në Paris në vitin 2019 gjatë një ankandi.

Falë mobilizimit të përbashkët të Guatemalës, Francës dhe UNESCO-s, shitja u pezullua dhe filloi ndërmjetësimi.

“Jam sinqerisht e lumtur dhe shumë krenare që do t’ju dhuroj këtë artefakt që im shoq  dhe unë kishim shumë për zemër dhe të kontribuoj në ruajtjen e trashëgimisë së Guatemalës”, tha Znj. Manichak Aurance e cila vendosi të kthejë vullnetarisht fragmentin në Guatemalë.

Ky fragment i rëndësishëm tregon pjesën e sipërme të mbulesës luksoze të kokës së një sundimtari antik të Piedras Negras, i cili hipi në fron në vitin 729 pas Krishtit. Fragmenti përshkruan sundimtarin me një fustan nefriti të veshur nga perëndia e misrit.

Artefakti do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Etnologjisë në qytetin e Guatemalës./oranews/KultPlus.com

Të ngjajshme