26 Qershor, 2020 - 12:52 pm
Në sheshin qendror të Shkupit, ku është pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, për herë të parë është vendosur mbishkrimi edhe në gjuhën shqipe.
Kjo pllakë është e vendosur në pjesën qendrore të kryeqytetit, aty ku më parë ka qenë shtëpia e familjes Bojaxhiu, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, përcjell INA.
“Beteja për vendosjen e dinjitetit në vendin e duhur, po ndodhë me rikthimin e shenjave identifikuese e civilizuese , siç mund të jetë gjuha. Ky rikthim po ndodhë në 40 vjetorin e shpalljes së Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza- QYTETARE NDERI e Shkupit (1980), duke hapë një kapitull të ri në betejat tona kulturore e shoqërore, aty ku edhe duhet të realizohet barazia e plotë e njerëzve të këtij nënqielli.”, ka nënvizuar publicisti Emin Azemi.
Sipas tij, ITSHKSH dhe drejtori Dr. Skender Asani, qëndroi me dinjitet në ballë të kësaj beteje, duke rikonfirmuar në praktikë arsyeshmërinë e themelimit të Departamentit për studimin dhe nderimin e Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, institucion i parë kërkimor ky në botë që merret në mënyrë të përkushtuar me studimin e figurës dhe veprës së Nënë Terezë.
“Në Sheshin qendror të Shkupit po troket jehona e historisë së lavdishme Dardane”, ka shkruar Azemi.
Pllaka e shkruar në shqip është bërë me një mbështetje nga nënkryetari i Qytetit të Shkupit, biznesmeni Enver Maliqi. / KultPlus.com