14 Mars, 2023 - 10:30 am
Pllakat e gramafonit janë shitur më tepër se disqet kompakte (CD) në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë prej vitit 1987, sipas një raporti të ri.
Sipas Shoqatës për Industrinë e Incizimeve në SHBA, më 2022, në territorin amerikan janë shitur 41 milionë pllaka të gramafonit – në vlerë të 1.2 miliard dollarëve – në krahasim me 33 milionë CD, në vlerë të 484 milionë dollarëve.
Viti 2022 ka qenë i 16-i me radhë kur është shënuar rritje e fitimeve në blerjen e kopjeve fizike të incizimeve.
Në raportin e Shoqatës për Industrinë e Incizimeve, është thënë se shitjet janë rritur sidomos pas vitit 2021, kur bota ka nisur të ringjallet pas pandemisë së koronavirusit.
Kopjet fizike të projekteve muzikore kanë vazhduar të performojnë më mirë sesa shkarkimet në platformat digjitale, ka gjetur raporti, sipas së cilit shkarkimet kanë shënuar rënie për 20 për qind.
Këto shifra përbëjnë kontrast të vërejtshëm me popullaritetin që u është dhënë shkarkimeve digjale më 2012, kur 43 për qind e fitimeve të industrisë muzikore është gjeneruar prej tyre.
Shefi i Shoqatës për Industrinë e Incizimeve, Mitch Glazier, ka thënë se shitjet rekorde të pllakave të gramafonit vitin e kaluar, demonstrojnë se ato po “çimentojnë rolin e tyre në tregun modern të muzikës”.
“Adhuruesit e muzikës duket se nuk po mund të ngopen me kualitetin e lartë të zërit dhe lidhjen me artistët që mundëson pllaka e gramafonit”, ka thënë mes tjerash Glazier, për një medium amerikan./ REL / KultPlus.com