Plotë 77 vite nga vdekja e Edith Durham (FOTO)

15 Nëntor, 2021 - 7:15 pm

Më 15 nëntor 1944, vdiq mikja e madhe angleze e popullit shqiptar, Albanologe e shquar Edith Durham, shkruan KultPlus.

Në moshën 37 vjeçare, e këshilluar edhe nga doktori i saj, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për t’u qetësuar. Me anë të detit, duke u nisur nga Anglia deri në bregun e Dalmacisë, duke udhëtuar nga Trieste në Kotor, më në fund zbarkoi në Cetinje, ish kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël e harruar e botës do t’i lente asaj mbresa të thella për të gjithë jetën.

Për 20 vjet ajo udhëtoi dendur nëpër Ballkan duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Evropës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo shkruajti 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët High Albania (Shqipëria e Epërme) e shkruar në vitin 1909 është më e njohura dhe më e arrira.

Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. Është për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën Njeriu (Man)e bëri atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror te Antropologjisë (The Royal Anthropological Institute)./ KultPlus.com

Të ngjajshme