22 Janar, 2023 - 1:00 pm
“Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty,
O nënë e rreptë burrash t’egër!”
Udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt ”lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër ta është Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij ”Child Harold”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara. Ishte ajo poemë që e bëri atë të shkëlqente menjëherë pas botimit. Ai e vizitoi jugun e Shqipërisë pothuajse fill pas William Martin – Leake-ut. Në letrën e tij dërguar nënës, ai i përshkruan shqiptarët në veshjet e tyre kombëtare si veshja më madhështore në botë. Një kopje e portretit të tij me kostumin kombëtar shqiptar gjendet e ekspozuar në National Portrait’s Gallery në Londër. Ai është konsideruar edhe si portreti më i bukur i tërë kohërave i përzgjedhur me të drejtë në atë muze arti. Ai është objekt studimi i një filmi dokumentar të BBC – së .
Njohja me veprën e Bajroni-t dhe veçanërisht me këto dy letra dërguar nënës së tij, si dhe me udhëtarin tjetër Hobhouse na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve. Kjo përbën një pikënisje të njohjes së kombeve tona shumë kohë para se Shqipëria të ribëhej shtet dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë e Madhe. Ai vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashain, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj.
Shenim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Fotografuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Londër)
Bajron – i e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse (1786 – 1869). Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç. / Nga Mal Berisha / KultPlus.com