23 Tetor, 2022 - 4:57 pm
Shkruan Elvi Sidheri
Poetin mitrovicas Sabit Idrizi, akoma nuk kam pasur fatin ta njoh personalisht, përkundër dëshirës sime, ndonëse, sikundër ndodh rëndom me njerëzit e letërsisë, me këtë krijues në vargje e poema, jam njohur tashmë sidoqoftë përmes poezisë së tij, diçka kjo, që është më shumë se e mjaftueshme për ta çmuar këtë njeri falë veprës së tij të vyer për poetikën shqipe bashkëkohore.
Mbrëmja poetike e mbajtur në pasditen e së premtes 21 tetor në Muzeun e Mitrovicës, në qytetin e tij të bukur me të shkuar të lavdishme, pranë lumit Ibër, frymëzuesit dhe përbashkuesit të banorëve të këtij qyteti me kaq tradita, zhvillim e kulturë unike në kontekstin e Kosovës dhe jo vetëm, që përdhunshëm është shndërruar në ujë ndarës prej disa dhjetëvjeçarësh tanimë, mes gjuhësh e kombesh, ishte gjithsesi mundësia për ta takuar këtë poet përmes krijimtarisë së tij poetike, të lexuar e recituar me pasion nga miq e dashamirës së tij.
Megjithatë, për shkak të orareve, pak të thuash, të habitshme, të linjës së autobusëve që lidh Prishtinën me Mitrovicën, kryeqytetin kosovar, me një qytet kaq thelbësor për fatet e tashme dhe të ardhme në historinë e Kosovës, nuk munda të isha i pranishëm në këtë ngjarje tejet të rëndësishme letrare, pawka zhgënjimit tim (një Zot e di përse autobusi i fundit nga Mitrovica për Prishtinë, niset në 19.15, e jo më vonë, duke ua pamundësuar gjindjes gjasat për të ndenjur më gjatë në këtë qytet përpara kthimit në Prishtinë).
Gjithsesi, mbrëmja poetike kushtuar Sabit Idrizit, poetit nga skaji i fundit shqiptar në veri të Kosovës, nga fshati Cerajë i poetit tjetër të paharruar, Jakup Cerajës, u mbajt, dhe me interpretimin e përkushtuar të miqve dhe dashamirësve të poezisë së tij, Çamëri Cerajës, Nora Prekazit dhe Fisnik Istrefit, të pranishmit patën fatin të bëhen dëshmitarë dhe të ndërveprojnë me vargjet dhe krijimtarinë poetike të Sabit Idrizit, duke e nderuar lëvrimin e tij poetik, në mënyrën e duhur, në qytetin e tij.
Sabit Idrizi është autor i plot librave me poezi, qysh nga botimi i parë, në vitin 1995, duke krijuar një fizionomi të vetën poetike krejtësisht të dallueshme dhe emblematike në poezinë e sotme shqipe, duke qenë gjithashtu edhe recensent dhe redaktor i dhjetëra botimeve të tjera gjatë veprimtarisë së tij të gjatë dhe të frytshme letrare në vite, përkundër vështirësive dhe sëmundjes.
Për krijimtarinë e Sabit Idrizit kanë shkruar edhe bashkëpunëtorë e miq të poetit, si miku im Miftar Kurti, historian e shkrimtar nga Mitrovica, në librin “’Të çmendesh bukur kur dhimbja merr zë’. (Intervistë (pa zë) me poetin Sabit Idrizi”, falë të cilit, dhe familjarëve të Jakup Cerajës, kam pasur mundësinë ta njoh edhe më thellësisht poetikën e këtij krijuesi kaq të veçantë e të çmuar për letërsinë tonë shqipe.
Kur një krijues, poet, arrin ta njohësh nga larg, falë veprës, vargjeve, dhe sidomos përmes miqve e njohësve të tij, atëherë sigurisht lidhja shpirtërore e letrare bëhet vetvetiu më e mirëfilltë, duke të lidhur shpirtërisht me njeriun dhe poetin, si në rastin e Sabit Idrizit.
Fotot nga: Kushtrim Hoti