17 Shtator, 2024 - 3:32 pm
Poeti Sali Bashota, javën që lamë pas qëndroi në Ulqin në kuadër të Rezidencës Letrare “Një azil letrar në Ulqin”, projekt ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës.
Shkruan: Vediha Gjoni
Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Ulqinit, poeti dhe studiuesi i letërsisë pati mundësi të takohej me disa nga personalitetet e artit dhe kulturës së vendit. Nga këto takime ai arriti të njihej më mirë me artin dhe kulturën e këtij qyteti si dhe të ndante ide e projekte të cilat do të shërbejnë pse jo edhe si ura bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Ulqinit.
Në nder të vizitës së tij, në Ulqin u organizuan dy takime letrare. I pari ishte ai në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë i mbajtur me datën 12.9.2024, në të cilin poeti u takua me lexuesit e tij të rinj që edhe pse të vegjël për letërsinë që krijon Bashota, ishin shumë të gëzuar e kuriozë ta takonin poetin. Gjatë takimit, nxënësit bashkëbiseduan me poetin rreth poezisë dhe letërsisë, rreth krijimit e frymëzimit e rreth leximit dhe vlerave të tij. Përveç kësaj, nxënësit e shkollës shpalosën talentin e tyre në krijime e interpretime letrare dhe përveç lëvdatave ata morën edhe këshilla nga poeti. Nxënësit u shprehën që këtë takim do e mbanin mend gjatë si njërin nga më të bukurit që kanë marrë pjesë dhe u shprehën shumë entuziastë që ta njihnin edhe më mirë krijimtarinë e tij.
Profesori Bashota, i dhuroi bibliotekës së shkollës disa nga librat e tij si edhe kompletin e veprave të poetit Basri Çapriqi, poetit të dashur nga Ulqini.
Takimi i dytë u mbajt me datën 14.09.2024, nën bashkorganizimin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe librarisë “Ulqini”, në ambientet e bukura të së cilës u mbajt takimi. Në takim ishin të pranishëm disa nga personalitetet kryesore të jetës kulturore e politike të vendit por edhe miq e dashamirës të poetit. Gjatë takimit, poeti Bashota shpalosi shumëçka rreth krijimtarisë së tij letrare e shkencore si studiues i letërsisë.
Sali Bashota zbuloi që me Ulqinin ruan një lidhje të veçantë shpirtërore duke qenë se ky është qyteti i mikut të tij të dashur, të ndjerit Basri Çapriqi e për këtë arsye ai në Ulqin ndjehet si në shtëpi. Për poetin anamalas, ai tha që ruan kujtime të shumta gjatënmiqësisë së tyre prej rreth katër dekadave. Mes emocioneve të shumta lexoi për të pranishmit poezinë e tij kushtuar Basriut me titull “S’ke me dalë nga parajsa”, e cila është e shkruar pas vdekjes së poetit nga Krytha. Vargjet e kësaj poezie emocionuan të gjithë të pranishmit, në mesin e të cilëve ishin edhe miq e familjarë të poetit të larguar në amëshim. Figura e Basri Capriqit si njëra ndër figurat kryesore letrare të qytetit të vogël të Ulqinit, meriton të nderohet e të kujtohet në radhë të parë duke lexuar vargjet e tij përmes së cilave poeti qëndron i gjallë gjithnjë, por të kujtohet edhe në mënyrë institucionale duke u vlerësuar kontributi i tij i madh që ka dhënë për Ulqinin duke ia shpalosur lexuesit mbarëshqiptar grimca të bukurive të këtij qytetit.
Sali Bashota u shpreh që produkt i kësaj rezidence do të jetë një vepër letrare, për të cilën zbuloi që do të jetë për Ulqinin, bukuritë dhe mikpritja e të cilit e ka magjepsur dhe frymëzuar. Neve na mbetet që poetit t’i dëshirojmë frymëzim e ta falenderojmë që zgjodhi Ulqinin si destinacionin e tij letrar. Shpresojmë që shumë shpejt të kemi në duar këtë vepër letrare e cila është frymëzuar nga era dhe valët e detit tonë./KultPlus.com