‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’ së shpejti në Teatrin Kombëtar, e ftuar speciale Elvira Dones

3 Mars, 2022 - 12:01 pm

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas do të shënohet me poezi të fuqishme të interpretuara nga shkrimtarë dhe artistë të ndryshëm, të kombinuara me tinguj muzikorë, përcjell KultPlus.

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me 5 mars organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë, prej orës 20:00.

E ftuar speciale e mbrëmjes do të jetë Elvira Dones, romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë. Është romanciere dhe shkrimtare dygjuhëshe (shqip dhe italisht); ajo ka botuar shtatë romane, dy përmbledhje me tregime të shkurtra, ka shkruar disa skenarë dhe ka drejtuar një seri dokumentarësh për Radion Publike Zvicerane. Romanet e saj janë përkthyer në disa gjuhë.

Gjithashtu, me pjesëmarrjen e tyre do të na nderojnë sopranoja Besa Llugiqi, shkrimtarja e gazetarja Ilire Zajmi, aktori dhe poeti Shpetim Selmani dhe këngëtarja e kantautorja me origjinë shqiptare nga Belgjika Ceylan Taci. Mbrëmjes do t’i shtojnë magjinë edhe kërcimtarët e Noa Dance Theatre që sjellin para publikut vallëzimin kontemporan./ KultPlus.com

Të ngjajshme