31 Maj, 2024 - 6:02 pm
Lirije Seferaj
(Ismail Syla, “Epet e zgjimit”, Buzuku, Prishtinë, 2023)
Poezia lindi si nevojë e njeriut për ta gjetur vetvetën, që ai të guxojë të shprehë ato fjalë për të cilat nuk gjeti një vesh për t’i dëgjuar e as një shpirt për t’i kuptuar. Poezia është pikturë e bërë me ngjyrat e shpirtit, është personalja e individit ku shprehet mallkimi, urimi, gëzimi e hidhërimi i palosur në afshin shpirtëror. Ajo është produkti që nuk skadon kurrë. Sinteza e fantazisë, halucinacionit, imagjinatës së pakufishme që kalon portet e Parajsës dhe Ferrit, me përjetimet dhe ndjenjat e thella spirituale, mundësojnë ngjizjen e poezisë.
E tillë serviret edhe poezia e Ismail Sylës, poezi që prek dimensione e tematika të sferave të ndryshme. “Epet e zgjimit” është libri më i ri poetik i Ismail Sylës, i autorit që rrumbullakos nëntë libra të tillë deri më tani. Përmes poezisë, Syla arrinë te lexuesi të shprehë sadopak vetën e tij, dashurinë për më të çmuarin atdhe, përjetimet e luftës, betejën me covidin dhe vdekjen, mëngjeset e shumta në restaurantin “Bagolina”, ndjenjën e të qenurit gjysh, e mendimet e panumërta që i falin vetmi. Por përveç ndjenjës e përjetimit që dhurohet, aty gjejmë edhe vend për thellësira filozofike e mendime që skalisin mendjet njerëzore si çështja e shpirtit, njeriu dhe karateri i tij, vdekja, mëkati, dashuria dhe urrejtja, vlerat njerëzore.
Epet me të cilat autori pretendon të zgjojë kërshërinë e lexuesit, janë epe në vete, ndryshe nga ato që i hasim në letërsi. Ato e thyejnë gjatësinë maratonike të epit dhe përfundojnë të shkruara në distik, nuk trajtojnë tema heroike e historike, por dominon uni lirik, ndërsa personazhi heroik zëvendësohet me figura mitike. Kësisoj, formën e epit e kthen në miniaturë.
Epet e tilla janë një zgjim individual i autorit, i mendjes dhe ndjenjës, ato janë frymëzime të çastit të menduara mirë e të saktësuara në vend dhe kohëshkrim.
Poezitë e këtij vëllimi seleksionohen në pesë pjesë: Atdhe, ti kryeep i zgjimit; Unë, aksesorët dhe pagjumësia; Sfinksi zgjidh dilema; Lajthitje; Epet e zgjimit, sipas të cilës edhe është emërtuar e tërë vepra poetike.
Bajrakun e poezive e mbanë “Epi për atdheun tim të lashtë, Atdheun Dardan”
Atdhe të dua pa fund:
Gur Sizifi rreth qafe që nuk gërvishtet as thërrmohet
E jo ortek në rrokullisje, që rritet, vret dhe avullohet.
Dashuria për atdheun është motivi më i flakët i autorit, ai është frymëzimi djaloshar që nuk u shua kurrë edhe tani kur atdheu pa dritën në fund të tunelit. Dashuria e tij për të është e pastër, pa zmadhime e zvoglime, është “më e thellë se lekura e mishi e ashti me palcë”, pavarësisht se ai vend shpesh di të jetë xibërrakë, rrënore, kërnalle e musha.
Atdheu im frazeologjik në dritën e diellit del ashtu siç është
Një copë kërnalle aty-këtu, diku rrabe e kryekëput pendore
Pranverës xibërr, një musha e kullotur nga mushkat në verë
Dhe në stinën e mbledhjes së të lashtave veçse një rrënore.
Në vazhdën e poezisë me motive atdhetare, atdheu është ëndrra e çdo mërgimtari, refugjati dhe foleja e zogjëve shtegtar. Aty jehon dëshira për një atdhe mantel-larë, me kravatë kushtetuese, me pëlhurën e qëndisur që simbolizon lirinë, dhe dëshira finale, shthurja e halucinacionit të ashtuquajtur motërzim shqiptar.
Vegimet e luftës së fundit në Kosovë i japin poezisë nota tronditëse e shprese poashtu, janë vargje që dalin nga shpriti i poetit i cili kërkon që pas çdo fije shkrepëse të kallur, të ndezë një fije shprese. “Epi për llampën e vajgurit e karbonizuar në shtëpinë tonë më 23 gusht 1998” rikthen edhe njëherë kujtimet e luftës mizore që dogji çfarë mundi, e në mesin e tyre edhe librat prej të cilëve ikën personazhet e veç llampa e kërrysur kokëposhtë, kishte mbetë si kujtim. Kishte mbetë e tillë për t’u kthyer në simbol të shpresës, që flaka e saj sado e vobekt të jetë, ajo nuk shuhet lehtë mu si shpresa për liri.
Përtej poezive ku atdheu është fjala e parë, poeti hap faqe të re për t’i thurur vargje biografike aksesorëve të pandashëm të njeriut, katër personazheve të vitit, gureve e lisit patriark, moshës e jetës, borës e pranverës, burgut e spitalit, gjumit e pagjumësisë. Një koleksion me plot motive që prekin horizonte tokësore e metafizike, personale e universale, disa dinë të prekin vetëm lëkurën e disa tjera edhe shpirtin.
Subjekti lirik shpesh vuan nga olimpiada e mosgjumit që i fal vetmi dhe ikje përtej vetës. I strukur nën qiellin plot errësirë vezulluese nga yjet shekullore, gjen rastin të mendojë për jetën e plagosur.
Më brengos jeta ime sa herë që del tutje meje
Si një drenushë në pyll me përplot grabitqarë
Po nuk vonon, kthehet dhe hyn në gjoksin tim
Ku, si në ordinancë lufte, i jap ndihmë të parë.
Pena e autorit jetëson edhe një herë Vang Goghun, Rene Dekardin, Xhordano Brunon, Evën e Adamin, Jezu Krishtin e Shën Pjetrin. Aty gjenë mishërim edhe dilema fishtiane për atdheun, vetmia si sëmundje e poetëve të sotëm dhe jo turbekulozi, si dhe marrëzitë e autorit që e dënoi personazhin e tij duke e lidhur për trungu gështenje, sikur një Krisht të pakryqëzuar.
Ndërsa dilemat e mëdha filozofike ia lë në dorë asaj figurës së lashtë egjiptase, me trup luani, fytyrë gruaje e me flatra që përcakton fatin e udhëtarit. Ajo bëhet figura më prezentative e këtyre poezive por jo vetëm, ajo ka nderin të jetë kryefigurë e poetikës së autorit, me të cilën ndeshemi më herët të poezitë e vëllimit, “Sfinksi pyet sërish”.
E në poezitë përkushtuese, janë Jasharët e Prekazit që vdiqën për të jetuar, Sadik Zogaj e Abdullah Zeneli.
Prezenca e figurave mitike e biblike e skalisin poezinë e Ismail Sylës, duke dëshmuar edhe njëherë lashtësinë e ekzistencës së tyre, por në të njëjtën kohë, edhe vlerën dhe potencialin që ato kanë për t’u përshtatur me jetën reale, përmes të cilave shprehen preokupimet e kohës në të cilën jetojmë. Guri i Sizifit, Arka e Pandorës, Orakujt e Delfit, Sfinksi, Zanat e Orët, Demoni, Juda, Kali i Trojës, Kulla e Babelit, Eva e Adami aktivizohen për t’i dhënë poezisë atë ide që s’do mund t’ia jepte asnjë figurë tjetër.
Stili i veshjes dhe mëkati që mundohet të kamuflohet përmes saj, përfeksionimet e tepërta estetike dhe ndryshimet fizike të njeriut modern përmes të cilave pretendojnë të ndërrojnë karakterin e tyre, dënimi nga Perëndia dhe ndjenja e fajit, janë preokupime jetësore që autori i shpërfaqë në saje të figurave biblike, ndërsa tradhëtia dhe mashtrimi jepën përmes kalorësit të Kalit të Trojës, dyfytyrësia përmes Demonit, rezistenca heroike përmes Sizifit.
Industria e veshjes është kamuflim i mëkatit
Si gjethet e fikut në trup të Evës dhe Adamit
Këtë vëllim poetik, përveç pranisë së figurave të panumërta, motiveve atdhetare, personale e filozofike, e karakterizon edhe gjuha e pasur me shprehje frazeologjike, për të cilat flet në fund të librit, duke i dhënë shpjegime për sëcilën nga ato.
Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof.dr.Sali Bashota, studimet master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com