Pogradeci, qyteti që i ofron të gjitha për të gjithë

17 Gusht, 2024 - 10:30 pm

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë mbrëmjen e së shtunës pamje nga qyteti liqenor i Pogradecit, i mbushur me turistë në këto ditë të nxehta gushti.

Rama shprehet se Pogradeci ka krijuar një përvojë të shkëlqyer në administrimin e plazheve publike, kombinuar me aktivitete rekreative dhe vijon të jetë model në pastërti, ndërsa së bashku me ofertën e sektorit privat, atraksionet kulturore, natyrore e kulinare është kthyer në qytetin që i ofron të gjitha për të gjithë.

Me një paketë të plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të ftojnë t’i vizitosh./ KultPlus.com

Të ngjajshme