13 Prill, 2024 - 1:45 pm
Shefi i Departamentit policor në Paris, Laurent Nunez, ka thënë se shkalla e krimit ka rënë në mënyrë të konsiderueshme rreth Kullës Eiffel dhe zonave tjera turistike, para nisjes së Lojërave Olimpike më vonë gjatë vitit.
Ai ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se angazhimi i forcave policore shtesë ka ndihmuar në uljen e numrit të vjedhjeve dhe sulmeve rreth Kullës Eiffel, ku dyshimet për dhunimin e dy turisteve të huaja pati shkaktuar zemërim të madh publik vitin e kaluar.
“Kemi pasur rezultate fantastike në këtë zonë, si dhe zonat tjera turistike në Paris”, ka thënë ai për agjencinë AFP.
Numri i sulmeve të raportuara fizike ka rënë për 58 për qind në 21 incidente në çerekun e parë të vitit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa krimet e raportuara nëpër prona, përfshirë vjedhjet dhe vandalizmat, kanë rënë për 18 për qind apo në 170 incidente në periudhën e njëjtë.
Një turiste braziliane dhe një britanike kanë thënë se janë dhunuar në parkun Champs de Mars para Kullës Eiffel, vitin e kaluar, cka pati tronditur shumë parisienë.
“Ne do të vazhdojmë të kemi prezencë të madhe policore në këtë zonë shumë të rëndësishme për gjithë rajonin e Parisit, sepse është imazhi i Parisit, është vendi ku miliona njerëz vijnë çdo vit”, ka thënë Nunez.
Statistikat për krimet përfshijnë vetëm ato që janë raportuar, pasi shifra e saktë besohet se është më e lartë.
Kryeqyteti francez është duke u përgatitur për Lojërat Olimpike që nisin më 26 korrik dhe ato Paralimpike që nisin më 28 gusht.
Rreth 10 milionë persona pritet të vizitojnë Parisin atë periudhë./REL/ KultPlus.com