8 Nëntor, 2020 - 7:49 pm
Të flasësh për pasurinë tradicionale shpirtërore të këngës shumëzërëshe burimore të popullit shqiptarë nuk është e lehtë. Kjo pasuri brilante veç kohës së përkushtuar kërkon trajtim të kujdesshëm e plot dashuri, sepse sa ç’është e bukur është edhe e brishtë, është e kristaltë sa nuk pranon as krisjen më të vogël.
Yzeir Llanaj është bartës i kësaj vlere tradicionale kombëtare prej 50 vitesh në skenë si këngëtar dhe krijues, njëkohësisht dhe bashkudhëtar me shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë në këngën shumëngjyrëshe. Kjo perlë e artit buron në pjesën më të madhe të shqiptarisë me një shtrirje nga derdhja e Shkumbinit, Librazhdit, Rrajcë e që hidhet në Strugë dhe zë tërë Çamërinë e del në Konispol, shpërthen fuqishëm në perëndim, nën freskinë, kaltërsinë dhe oshëtimën e dallgëve të Jonit e Adriatikut.
Kjo trashëgimi shtrihet në dy treva. Në jug-perëndim mbizotëron kënga shumëzërëshe labe që plotësohet me katër zëra, duke filluar nga marrësi, kthyesi, hedhësi si dhe mbushja që është zëvendësuar me termin iso.
Ndërsa shumëzërshja toske ka marrësin pritësin dhe mbushjen me një zë më pak, por që zë gjeografikisht territorin më të gjerë. Që të dyja shumëzërshja labe dhe ajo toske si element të fundit kanë mbushjen, ison, e cila qëndron në shtratin dhe tonalitetin e mirëzgjedhur nga marrësi i këngës. Të dy këto elemente bashkohen në derdhjen e Vjosës ku përballen të dy krahët e saj që zgjaten deri në Maloshovë e Zagori.
Pas ndryshimit të sistemit kjo kulturë mori një goditje të ndjeshme për vet karakterin e saj, ku lëvizja e lirë “rrëmbeu” çdo grup polifonik apo këngëtar të kësaj kënge në kërkim të një jetë më të mirë.
Do te duhej të kalonin tre dekada, deri sa institucionet shtetërore ti jepnin vlerësimin që i takon me të drejtë Polifonisë.
Kjo ndodhi më datë 6 nëntor 2020. Presidenti Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin antik të Bylisit me rastin e 15 vjetorit që Polifonia është pjesë e Uneskos-s , Drejtorin ekzekutiv të shoqatës “Polifonia Shqiptare”, Yzeir Llanaj me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.
Më parë kryetari i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, Yzeir Llanaj, ka shprehur nevojën se për ruajtjen e polifonisë nuk duhet vetëm puna e një shoqate, por dhe e shtetit dhe grupeve të ndryshme të polifonisë.
“Polifonia është gjëja më e vyer e jona për arsye se është gjëja më e vjetër, është shumë e vjetër. Mbase është përpara dhe identitetit të kombit shqiptar, pa diskutim pavarësisht se këndohet shqip. Pse? I referohem për një fakt shkencor që shumë pak e kemi dëgjuar. Muzika siç kemi mësuar të përshkruhet ndahet në tone dhe semitone, nga një ton është distanca midis notës do dhe re dhe një gjysmë toni do dodiezis dhe gjysmës tjetër, polifonia jo, polifonia ndahet me çerek toni, domethënë është më e lashtë se ekzistenca e modeve, domethënë argumenti i thërrmizave të atomit që e ndajnë këtë mua më duket që është një argument historik që duhet interpretuar në shtratin e vet”, do të shprehej Zhani Ciko në 20-vjetorin e shoqatës “Polifonia shqiptare”.
Qëllimi i veprimtarive të kësaj shoqate të drejtuar nga Yzeir Llanaj është promovimi në vazhdimësi i vlerave të kësaj tradite kulturore, mbrojtja e kësaj pasurie shpirtërore nga gërryerjet e tranzicionit dhe erozionit të kohës nga ata që kërkojnë ta dëmtojnë seriozisht të ardhmen e polifonisë. Shoqata ka zhvilluar aktivitete brenda dhe jashtë vendit duke u përqendruar tek ruajtja e këtyre vlerave të kësaj trashëgimie. Yzier Llanaj nuk ka qenë aspak dakord me emërtimin Iso-Polifoni të kësaj vlere kulturore të vendit tonë.
“Kjo kulturë iliriane shpirtërore autoktone, tani na identifikon në UNESKO qartësisht me termin e fjalorit grek. Si bartës i kësaj tradite të vyer kombëtare më lind pyetja: kur termi polifoni është mjaft i kompletuar për ta përdorur edhe ndërkombëtarisht, atëherë pse duhet thënë iso?”, ngre shqetësimine tij kryetari i shoqatës Llanaj, i cili prej 10 vitesh ka luftuar me peticione për të zhdukur termin iso, që sipas tyre do të thotë “mbushe” ose “mbaje”, ndërkohë që polifoni është përdorur nga studiues të nderuar si Ramadan Sokoli, Benjamin Kruta qysh nga viti 1963, duke u përkthyer në shqip si shumëzërësha.
Njohja e kësaj tradite kulturore si iso-polifoni vazhdon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të “Shoqatës Polifonia Shqiptare”, e cila vazhdon të lobojë për zgjidhjen e këtij problemi./DorjanDoka/disporashqiptare/ KultPlus.com