9 Dhjetor, 2020 - 9:59 am
Kolë Gjoka jeton prej 25 vitesh në Gjermani ku është dhe ndër të paktët politikanë shqiptarë atje. Shteti gjerman në vitet e fundit është kthyer ndër vendet që ka tërhequr më shumë shqiptarë.
Për Gjokën të rinjtë duhet të kuptojnë se Gjermania nuk është fushë me lule, ndërsa shtoi se institucionet shqiptare duhet të bëjnë më shumë për punësimin e rinisë, duke filluar që nga shkollat profesionale.
Duke folur në “Radar Informativ” në Abc News ai shtron pyetjen nëse “ia vlen të lësh vendin e të punosh hamall në Gjermani?
“Kjo rini që largohet nga Shqipëria dhe vjen në Gjermani do ta shohë me sytë e saj se si është realiteti. Gjermania nuk është fushë më lule, është vendi i punës. A ia vlen të lësh vendin dhe të punosh hamall në Gjermani,- kjo është pyetja që shtroj unë? Një ditë kur të kthehen do të kenë fituar kulturën e punës, kulturën e marrëdhënies me biznesmenë”, u shpreh ai.
Pyetje: Sa kthehen të zhgënjyer në Shqipëri dhe sa qëndrojnë aty?
Gjoka: Shumica e atyre që vijnë këtu janë me mendimin e qëndrimit për 2-3 vite dhe më pas të kthehen. Por situata është 50 me 50. Sot, shansi i azilit tani është zero, e vetmja mundësi është punësimi, por edhe COVID-19 ka dhënë efektet e saj.
Ndërtimi është një nga sektorët që merr më shumë emigrantë, po ashtu edhe mjekësia .
Pyetje: A do t’i këshilloje dikujt të nisej për Gjermani?
Gjoka: Ç’donjeri mund të niset, por thirrja që unë dua të bëj është që mos t’i lejojmë të zënë rrënjë, por të rinjve t’i ofrohet një alternative për t’u kthyer në Shqipëri. Arsimi dhe shkollat profesionale duhet të kenë më shumë vëmendje. Rroga mesatare e një punëtori të pakualifikuar është rreth 1600 euro, bruto, ndërsa e një punëtori të kualifikuar varet nga sektori, por gjithsesi ka kërkesë dhe ofertë të lartë. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com