Politikëbërësit e ardhshëm të Evropës vizitojnë Muzeun Etnografik të Kavajës

24 Shkurt, 2025 - 3:06 pm

Muzeu Etnografik i Kavajës u vizitua nga 20 praktikantë të programit “Blue Book” nga DG ENEST dhe DG MENA, nga e gjithë Europa. Kjo vizitë ishte një mundësi për të treguar një pjesë të trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë dhe për ta prezantuar muzeun e restauruar së fundmi, tek vizitorët ndërkombëtarë.

Praktikantët eksploruan mënyrën se si artefaktet, shekujt e kaluar, ndërthuren me inovacionin përmes instalacioneve ndërvepruese multimediale në ekspozitat e muzeut. Të rinjtë nuk mësuan vetëm për historinë, por u përfshinë dhe u lidhën me narrativën kulturore në një mënyrë dinamike dhe gjithëpërfshirëse.

Programi Blue Book Traineeship është një praktikë me pagesë pesëmujore e ofruar nga Komisioni Evropian, duke u ofruar të rinjve të diplomuar anekënd Evropës përvojë praktike në politikëbërjen dhe administrimin e BE-së. Të trajnuarit punojnë në një mjedis multikulturor, zhvillojnë aftësi profesionale dhe fitojnë njohuri mbi funksionimin e institucioneve të BE-së.

Gjatë vizitës u tregua se si trashëgimia kulturore shkon përtej vlerës së saj historike dhe artistike, duke u shndërruar në një motor për turizmin, krijimin e vendeve të punës dhe ekonomitë lokale të qëndrueshme.

Falë programit EU4Culture, përfaqësuesit e ardhshëm të Bashkimit Evropian patën mundësinë të shohin nga afër se si mbështetja e BE-së shndërrohet në veprime konkrete dhe me ndikim. Ata u njohën gjithashtu me mënyrat se si puna e tyre mund të sjellë ndryshime reale në terren./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme