Polonia shënon 85 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore

1 Shtator, 2024 - 9:30 pm

Polonia përkujtoi të dielën 85 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore me një ceremoni që shënoi sulmet e para të Gjermanisë naziste të cilat shkaktuan konfliktin vdekjeprurës.

Rreth gjashtë milionë polakë vdiqën në konfliktin që la më shumë se 50 milionë njerëz të vrarë në të gjithë botën, përfshirë gjashtë milionë hebrenj që vdiqën në Holokaust, gjysma e të cilëve polakë.

Ceremonia përkujtimore të dielën u mbajt në Westerplatte, në bregun baltik të Polonisë, ku 85 vjet më parë një luftanije naziste hapi zjarr mbi një fortesë polake.

Kryeministri polak tha në fjalimin e tij të dielën se mësimet e dala nga Lufta e Dytë Botërore “nuk ishin abstraksion” ndërsa bëri krahasime me luftën në Ukrainën fqinje. “Kjo luftë po vjen përsëri nga lindja”, tha ai.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të jenë, siç tha ai, “plotësisht të përkushtuara ndaj mbrojtjes… kundër agresionit që po shohim sot në fushat e betejës në Ukrainë”.

Sulmet e Adolf Hitlerit kundër Polonisë bënë që Britania dhe Franca t’i shpallin luftë Gjermanisë naziste. Më 17 shtator të vitit 1939, Bashkimi Sovjetik pushtoi Poloninë.

Pasi nazistët prishën paktin me Moskën, aleanca e udhëhequr nga Gjermania, Italia dhe Japonia u përball me aleatët fitimtarë të udhëhequra nga Britania, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Andrzej Duda mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në qytetin perëndimor polak Wielun, ku ranë bombat e para naziste 85 vjet më parë.

Presidenti Duda tha se “kërkimi i faljes” nga Gjermania nuk ishte i mjaftueshëm ndërsa bëri thirrje për dëmshpërblime, duke shtuar se: “Kjo çështje nuk është zgjidhur”. Edhe pse kanë kaluar 85 vjet që nga fillimi i luftës, sipas Polonisë ka ende çështje të pazgjidhura.

Qeveria polake pro-evropiane, e udhëhequr nga Kryeministri Donald Tusk, i ka kërkuar Gjermanisë dëmshpërblime financiare për shkatërrimet e trupave naziste.Edhe qeveria e mëparshme populiste, e cila humbi zgjedhjet në tetor, ka bërë thirrje të ngjashme më parë.

Gjatë vizitës për të shënuar përvjetorin e kryengritjes së Varshavës të vitit 1944, një revoltë e shtypur nga forcat pushtuese naziste ndërsa trupat sovjetike qëndruan duarkryq, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier foli lidhur me planet për të ndërtuar një memorial në kujtim të viktimave polake nga forcat naziste.

“Po ndërmerren shumë përpjekje të tjera, përfshirë për të mbijetuarit e pushtimit gjerman. Dy qeveritë tona po bashkëpunojnë ngushtë për këtë”, tha ai. Megjithatë, Presidenti Steinmeier nuk dha detaje të mëtejshme mbi mundësinë e masave të kompensimit.

Sipas mediave polake, Varshava dhe Berlini po zhvillojnë bisedime për kompensim financiar të mbijetuarve të luftës naziste. Polonia vlerëson se rreth 70,000 njerëz do të përfitonin. /VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme