‘Porosia’ e fundit e Naum Priftit dhe dorëshkrimet e pabotuara, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

22 Mars, 2025 - 12:02 pm

Biblioteka Kombëtare ka çelur një ekspozitë në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” me dorëshkrimet personale të shkrimtarit Naum Prifti.

Takimi u moderua nga zv. Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi ku e pranishme ishte edhe vajza e shkrimtarit, Julika Prifti e cila përshëndeti gjithashtu çeljen e ekspozitës, duke falënderuar të pranishmit dhe organizimin e takimit.

“Një ekspozitë e re, e paparë më parë. Babai kishte 100 dosje të ruajtura në shtëpi dhe në çdo gjë kishte të detajuar çfarë përmbante dosja. Babai ka gati po aq shumë gjëra të pabotuara sa ka të botuara. Janë një mori filmash…”, u shpreh Julka Prifti.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari “Porosia e përjetësisë ” nga producenti Mumin Jashari, Media Film Production, Prishtinë mbi amanetin e shkrimtarit Naum Prifti për t’ia sjellë hirin në Shqipëri.

Artistet e nderuara Justina Aliaj dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të krijimtarisë së Naum Priftit; “Lisi plak”dhe “Pse Shqipëria ka male shumë”.

Në përfundim të takimit, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Naum Priftit ndanë kujtimet dhe mbresat e tyre nga e kaluara me shkrimtarin, mes të cilëve Paskal Milo, Sadik Bejko, Dhimitër Haxhimihali, Çerçiz Loloçi dhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Nju-Jork, Adnan Mehmeti.

Dorëshkrimet e ekspozuara kanë një vlerë të veçantë, sepse përmbledhin historikun e krijimtarisë letrare dhe kinematografike të Naum Priftit, si dhe ndajnë detaje interesante nga jeta e tij personale dhe natyra kurioze që shkrimtari ka pasur.

Naum Prifti ka lindur në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaroi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë dhe punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”.

Prifti punoi më pas si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës.  Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76.

Në këto vite shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdoi të jepte ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar dhe për letërsinë shqipe. Në vitin 1995 u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.

Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.

Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme