6 Janar, 2025 - 12:31 pm
Arkitektura e banesave korçare është e veçantë, me larmi stilesh që flasin për historinë dhe kulturën e këtij qyteti. Kultura të ndryshme kanë lënë gjurmë tek ndërtimi dhe dekorimi i shtëpive të dikurshme korçare, të cilat mbartin tiparet e tyre.
Një nga këto tipare dalluese janë portat e banesave historike, një dëshmi e gjallë e kulturës dhe traditës që vazhdon të jetojë. Çdo gdhendje dhe detaj mbart një rrëfim të veçantë që ruhet me dashuri dhe respekt për historinë.
Ndikim të rëndësishëm në stilin e ndërtesave të Korçës ka lënë Perandoria Osmane. Tek ndërtesat më të vjetra shfaqen elementë tradicionalë të dizajnit otoman. Këto përfshijnë çatitë me kube, dritaret e portat me hark, si dhe fasadat e dekoruara në mënyrë të ndërlikuar.
Por Korça shfaq edhe tipare arkitekturore tipike të rajonit, me ndërtesa me ndikime neoklasike, barok dhe art deco dhe struktura më moderne të ngritura gjatë shekujve XIX dhe XX.
Sa herë flitet për arkitekturën e Korçës nuk mund të mos përmenden portat karakteristike me sofatet ose gurët e mëdhenj, të cilët dikur shërbenin për socializimin e banorëve të këtij qyteti e veçanërisht të zonjave të shtëpive që njihen si përcjellëse të nikoqirllëkut dhe mikpritjes./atsh/KultPlus.com