Porto Palermo në tre kohë, Autoriteti i Dosjeve dhe Qendra e Librit kujtojnë viktimat (FOTO)

23 Gusht, 2024 - 3:09 pm

Një dokument i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), (Shkurt 1950), raporton për rrugëtimin në 20 janar të vitit 1950 të 14 makinave me persona të internuar, pjesëtare të familjeve nacionaliste, nga burgu i Shkodrës drejt kalasë në Himarë.

Të internuarit e rinj gjejnë aty të tjerë si ata, të transferuar nga kampi i internimit të Tepelenës. 75 vjet më parë në burgun e kësaj kalaje, përdorur më parë nga pushtimi fashist për kundërshtaret politikë, u mbyllen fëmijë, gra e pleq, dënuar pa proces, pa gjyq. Ata ishin viktimat e para të luftës tragjike të klasave që nisi në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë e Himarës, të mbijetuar e familjarë të tyre, nderuan vuajtjen e të miturve, grave, të rinjve, e të moshuarve pa faj që u internuan në Porto Palermo.

Ceremoninë e përkujtimi përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila tha se : Ka vetëm 3 dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjet e lindura në atë kufi thyerje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre janë gjyshër nipash e mbesash. Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes. Se çfarë peshe kishte dera e qelisë. Sa e errët ishte humbella e galerisë ku punohej skllavërisht. Se çfarë makthi ishin telat me gjemba, apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndanë shqiptarin nga shqiptari, nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi”.
Kryetarja AIDSSh, Gentiana Sula: “Jemi këtu për të kujtuar viktimat e dy idieologjive më të rrezikshme të shekullit 20, fashizimit dhe komunizimit të cilat shkaktuan shumë viktima të pafajshme . Ne synojmë të nderojmë historitë e njerëzve tanë që u detyruan me forcë të jetojnë në këto kampe dhe të parandalojmë që tragjedia e tyre të mohohet e harrohet.

Përkujtimi është një akt jetik për të kuptuar pasojat e tyre tragjike të mekanizmave totalitare dhe për të ndërtuar shoqëri të drejta e paqësore në të ardhmen.

Përmes përkujtimit ne frymëzojmë ndenjën e tolerancës në shoqëri, ndriçojme skutat më të errta të historisë, me misionin për mbushur hendekun që kanë lënë pas lufta për pushtet dhe përplasjet ideologjike që vijojnë ende në ditët tona, përmes mohimit të së vërtetës”.

Drejtoresha e Qëndrës Kombëtare Librit Leximit, znj. Alda Bardhyli, iu bashkua misionit të AIDSSh permes aktivitetit Varg Festival, kur aktorit Dritan Boriçi dhe Kudrejt Alikaj sollën poezitë e Luan Ramës mbi historinë e të internuarvë të Porto Palermos. Një performancë artistike e krijuar nga Rovena Rrozhani me dëshmi të mbijetuarve të këtij kampi.

Et’hem Fejzollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë: “Unë isha 5 vjeç i internuar në Tepelenë dhe mund të quaj me plot gojën që ajo që ndodhi me ne ishte gjenocid. Ne u ndëshkuam edhe pse fëmijë. Njerëzit tanë vazhdojnë të vuajnë ata nuk i kanë gjetur ende eshtrat e shumë prej atyre që vdiqën në këtë kamp.”

Përfaqësuesi i Bashkisë së Himarës,Klajdi Mata i dorëzoi përfaqësuesve te familjeve, çmimin e solidaritetit për familjet Mirakaj,Kaloshi,Ndreu,Mavrovo,Lolo,Kthupi,Capo,Çaushaj.

Dëshmitë të mbledhura nga AIDSH të katër të dënuarve në Porto Palermo ndërsa ishin fëmijë, Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Dine Dine, Mirakaj dhe Rudina (Dema) Mane sollën atmosferën e atyre viteve të ashpra.
Eventi u pasurua nga ekspozita me piktura e Lek Pervizit ku janë përfshirë portrete të disa prej personave që kanë vuajtur dënimin në Kalanë e Porto Palermos, gjatë viteve 1949 -1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë. Ekspozita do të qëndroje e hapur për dy ditë..

Sipas dokumente arkivore, kampi i internimit që kish shërbyer deri në 1942 si burg për kundërshtarët e pushtimit fashizmit, u rihap shtatë vjet më vonë pas vendosjes së komunizmit në vend, për fëmijë, gra e pleq, pa proces, pa gjyq, por në bazë të një dënimi kolektiv -si shfaqje e luftës tragjike të klasave. Rreth 200 burra, gra dhe fëmijë u mbyllën në errësirën e burgut të kalasë, në vitet 1949-1950.

Historia e kampit -burg të Porto Palermos është shumë pak e dokumentuar. Të dhënat e gjetura si : një fletë regjistri me statistikat e të internuarve (Arkivi i AIDSSH-së, Fondi nr, 4,Dosje nr.70), pak rreshta në dosjet indviduale të ish-të dënuarve dhe dëshmitë gojore të mbledhura nga të mbijetuarit të këtij kampi hedhin dritë mbi historinë e errët të ekzistencës së nkampi ç’njerëzor.

Në vijim të punës për zbardhjen e funksionimit dhe vuajteve në këtë kamp, Autoriteti në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, synojnë të fusë në hartën e institucioneve të vuajtjes edhe burgun e kalasë së Porto Palermo, gjerësisht, për të rrëfyer një kohë të gjatë shtypjeje dhe mbijetese, që zë fill në Luftën e Dytë Botërore dhe vijon me vendosjen e regjimit komunist.

Sot, duke avancuar përpjekjet për zbardhjen e historisë së vendeve të vuajtjes, Autoriteti në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe aktorë të tjerë të kujtesës, synon që këto vende të kthehen në vende kujtese kur qytetarët dhe të rinjë të edukohen me ngjarje të së shkuarës.

Çdo 23 gusht, Autoritet me të mbijetuar e familjarë të tyre nderojnë vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në kampin e Tepelenës. Këtë herë u zgjodh Porto Palermo./tema/KultPlus.com

Të ngjajshme