Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pulla të reja postare (FOTO)

4 Prill, 2022 - 1:15 pm

Nga sot, Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim të rregullt emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Flora – Bimët shëruese”, me imazhet e katër bimëve që zhvillohen në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Në këtë emision të ri , hyjnë bimët si:

Shtogu-bresa: – Shtogu rritet si kaçubë apo dru në lartësi prej 3 deri në 10 metra. Lulet janë të grumbulluara në formë kurore, kanë ngjyrë të bardhë me nuancë të verdhë. Nga lulet zhvillohen kokërrzat (frutat), në fillim të gjelbra, pastaj me ngjyrë gështenje në të kuqe dhe në fund bëhen të zeza. Kokërrzat janë të vogla dhe të lëngshme. Lulet kanë erë të këndshme të fortë, erë kjo që në gjendje të thatë është më e butë. Frutat e freskëta kanë shije të pakëndshme, kurse të përgatitura si komposto, janë të shijshme.

Dëllinja e kuqe: – Dëllinja mund të krahasohet me një thesar të çmuar vlerash për organizmin. Kokrrat e saj janë përdorur gjerësisht për të detoksifikuar organizmin, përmirësuar tretjen, paraqitjen e lëkurës dhe jo vetëm. Ajo konsiderohet si një bimë e rrezikuar nga zhdukja dhe shumë shkencëtarë kanë kërkuar hapa konkretë për mbrojtjen e saj.

Rrush arusha: – Shkurre e shtrirë 30 – 50cm me gjethe të plota, të qëndrueshme gjatë dimrit, 12 – 30 x 4 – 12mm. Lulet (petalet) e bardha, me një ngjyrë trëndafili. Fruta kur piqet është e kuqe. Lulëzon nga maji deri në qershor. Në Kosovë e përhapur kryesisht në vendet me diell, në kullota e shkëmbinj të zonës subalpine dhe alpine të Maleve të Sharrit dhe Alpeve Shqiptare.

Burdullaku: – Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje edhe farat, sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë. / KultPlus.com

Të ngjajshme