Posta e Kosovës me pullë postare nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur gjatë luftës

27 Prill, 2025 - 10:11 am

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka emetuar sot një edicion të pullës postare, kushtuar Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Ky emetim nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe përçon mesazhin e kujtesës kolektive, dhimbjes së përbashkët dhe përkushtimit të pandërprerë për zbardhjen e fatit të tyre.

Përmes këtij edicioni, Posta e Kosovës shpreh solidaritet me familjet që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, duke mbështetur të drejtën e tyre themelore për të ditur fatin e më të dashurve.

Emetimi përfshin një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.

Si bartëse e historisë dhe e kujtesës sonë kolektive, pulla postare këtë herë ngre zërin për drejtësi – një zë që mbetet i gjallë dhe i patjetërsueshëm në ndërgjegjen tonë shoqërore./ KultPlus.com

Të ngjajshme