21 Mars, 2025 - 10:59 am
Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot vë në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Flora shëruese dhe aromatike”.
Përmes 4 pullave postare prezantohen disa lloje të florës aromatike dhe shëruese më të përhapura në Republikën e Kosovës.
Kamomili (Matricaria chamomilla) – Kamomili është një bimë barishtore njëvjeçare, e cila rritet në livadhe dhe fusha të hapura. Arrin një lartësi prej 25 deri në 30 cm dhe dallohet për lulet e saj të bardha me aromë karakteristike. Kjo bimë ka qenë e njohur për veti shëruese që nga kohët e lashta dhe është quajtur madje edhe “bimë e shenjtë”.
Kantarioni (Hypericum perforatum) – Kantarioni është një bimë barishtore shumëvjeçare, që mund të arrijë lartësinë nga 30 deri në 100 cm. Dallohet për degëzimin në majë dhe lulet e tij të verdha apo të kuqe. Në Kosovë rritet në zona të papunuara, livadhe, kullota dhe pyje.
Lavanda (Lavandula angustifolia) – Lavanda është një bimë shumëvjeçare që mund të jetojë deri në 20 vjet. Ajo është një shkurre aromatike, me një lartësi mesatare prej 60 cm. Lulëzon nga qershori deri në gusht dhe është e njohur për aromën e saj të fortë dhe qetësuese. Rritet kryesisht në zona me klimë të butë mesdhetare, në kodra dhe male me diell.
Dëllinja e Zezë (Juniperus communis) – Dëllinja e zezë në Kosovë është e përhapur kryesisht në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit. Është një shkurre me rritje të ngadaltë, e cila mund të arrijë lartësinë nga 2 deri në 5 metra. Frutat e dëllinjës kanë veti shëruese dhe fillimisht janë me ngjyrë të gjelbër, ndërsa pas 18 muajsh piqen dhe marrin një ngjyrë të zezë-vjollcë, të mbuluar me një shtresë dyllore blu.
Nga sot ky emision i pullave postare do të jetë në dispozicion të qytetarëve në të gjitha zyrat postare deri në konsum të plotë./KultPlus.com