12 Qershor, 2024 - 1:16 pm
Astronomja kosovare Pranvera Hyseni ka njoftuar se së shpejti në Kosovë do të funksionalizohet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, me pajisje që kapin vlerën rreth 100 mijë euro.
“Celestron mund të përshkruhet si një pionier dhe udhëheqës në fushën e teknologjisë optike, veçanërisht në prodhimin dhe zhvillimin e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Kompania shquhet për inovacionin e tyre të vazhdueshëm dhe cilësinë e lartë të produktit, duke ofruar një gamë të gjerë të pajisjeve për hobistët dhe profesionistët e astronomisë”, ka shkruar Hyseni në rrjete sociale.
Tutje, ajo ka spjeguar se Celestron që do të vjen në Kosovë për këtë projekt, njihet për angazhimin e tyre në mbështetjen e komunitetit global të astronomisë, duke sponsorizuar ngjarje dhe programe edukative që promovojnë interesin dhe shkencën e astronomisë në nivel botëror.
“Në përgjithësi, Celestron përfaqëson standardet më të larta të cilësisë dhe shërbimit në botën e teleskopëve dhe pajisjeve të tjera astronomike. Ndjehemi të nderuar, që kjo kompani prestigjioze po vjen zyrtarisht në Kosovë për të instaluar teleskopin me aparaturë 14 inç, një mrekulli teknologjike që do të sjellë universin më afër se kurrë më parë për qytetarët e Kosovës, transformimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar në një qendër të rëndësishme shkencore dhe edukative”, ka shkruar më tej astronomja.