5 Dhjetor, 2021 - 8:35 pm
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Dëshmitë tona para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë për ne. Sepse, ato na i kishin haur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej. Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar prej nesh, por edhe nga vetë Beogradi, i cili e ka pasur më se të qartë se në njërën anë nuk do t’i kenë duart e hapura që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët. Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i administratës amerikane që Rugovës, edhe gjatë shfaqjes në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete. Edhe pse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim para dite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kuptueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime diametralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perëndimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme. Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë. Senatori Dol, do t’ia ndërpresë fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për barazi, demokraci dhe Perëndim. “Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit. “Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….”Teatralisht do të thotë se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…“Nëse, vazhdon kështu, mbetemi pakicë …” Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe? Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me gjithfarë të pavërtetash që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej. “Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?” “Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtetformues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…” “Pra, nuk pranoni demokracinë?” “Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…” “Kjo më mjafton, zotëri…Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “ Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli. “Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…” Pastaj na u drejtua neve. “Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?” Rugova, pa një pa dy tha: “Kërkojmë barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…” “Amerika është në anën e atyre që kërkojnë demokraci, liri dhe barazi…” Robert Doli nuk foli më. U ngrit në këmbë dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin. Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzëqeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës. Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’ u duk se korridoreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniq me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd. Heshtja na mbërtheu edhe neve. Të ndodhur para një gjendjeje që para pak kohe as në ëndërr nuk do ta kishim parë, u morëm ngryk dhe ashtu mbetëm një copë herë. Nën përshtypjen e takimit me njeriun e dytë të SHBA-ve, që në kokat tona do të mbetej të vazhdonte të krijonte një lëvizje të papërmbajtshme të atyre që krijojnë vendosjet dhe zhvendosjet ndër më të ndryshmet, po ku megjithatë, kishim marrë një porosi, një këshillë, që mund të kuptohej edhe si urdhër madje dhe, kjo mund të rrudhej tek përqendrimi te barazia dhe demokracia, i kaluam edhe tri-katër ditët që na kishin mbetur para se të largoheshim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të nesërmen kur bashkë me të tjerët do të fillojmë vizitat Muzeut Kombëtar në Uashington si dhe varreve të veteranëve të luftës së parë dhe të dytë botërore dhe të atyreve të Vietnamit, Rugova kishte pranuar se nuk kishte fjetur gjithë natën nga përshtypja e atyre që kishte dëgjuar të thuhen nga senatori Dol. Më tha se ai takim dhe ajo bisedë, njëherë për njëherë, duhej mbajtur midis nesh. “Janë disa gjëra që nuk ka nevojë të kthehen në çallme rrugësh… ” Sikur fjalët e senatorit Dol ta kishin liruar përfundimisht edhe nga iluzionet që i hante pazari i takimeve thuajse populiste, siç ishte ai me komunitetin e shqiptarëve të Nju Jorkut dhe të rrethinës, ku tashmë kishin zënë të shpalleshin urime dhe përshëndetje të ndërsjella të shumtën me çirrje patetike-folkloriste dhe çmos tjetër, Rugova gjatë fjalës përshëndetëse në një hotel të madh të Nju Jorkut, ku ishin të pranishëm qindra veta dhe kremtohej e festohej me të madhe në të gjitha anët dhe me të gjitha dajret sikur Kosova atë ditë të kishte fituar ato që kërkonte, do të flasë vetëm për barazinë dhe demokracinë, si përcaktime strategjike. Madje edhe atëherë kur masa ndizej me parullat që hidheshin manash për Kosovën e lirë, për Shqipërinë etnike dhe për bashkimin kombëtar dhe të ngjashme, ai do të vazhdojë të ligjërojë për këto të dyja, duke theksuar se me anën e tyre kërkohej që bota shqiptare të shkëpuste lidhjet e dhunshme me ideologjinë komuniste dhe dhunë totalitare që ishte ushtruar prej saj. Edhe pse do të marrë duartrokitje të shumta, ishte një pjesë e mirë e atyre që fjala e Rugovës jo vetëm që nuk i kishte nxehur, siç pritnin, por i kishte ftohur fare, pikërisht pse nuk kishte zënë në gojë ato të tjerat, që kërkonte masa. Por, që të mos dëshpëroheshin gjithaq me Rugovën dhe fjalët e tij “shumë të thata”, ishin përkujdesur amerikanët, me orgjinë e sirenave policore dhe të bllokimit të rrugëve të Nju Jorkut gjatë kohës sa bartej nga njëra pjesë në tjetrën të qytetit dhe kjo si dukej gjatë atyre dy ditëve të fundit bëhej demonstrativisht edhe në pjesët e banuara me shqiptarë dhe të frekuentuara prej tyre. Shou amerikan me përcjelljen e Rugovës, që edhe disave nga grupi ynë do t’u dukej jo i zakonshëm dhe i panevojshëm fare, do të arrijë kulmin ditën e parafundit kur nga Ist Rivëri nëpër mes detit, do të organizohej vizita Monumentit të Lirisë. Edhe këtu amerikanët do të demonstrojnë gjithë aftësitë e tyre të përcjelljeve speciale me anën e forcave të sigurisë. Ania luksoze në të cilën Rugovës i bënin shoqëri senatori Larry Pressler dhe kongresmeni Tom Lentos, ku gjendeshim edhe ne dhe e gjithë paria e komunitetit shqiptaro-amerikan e drejtuar nga Diogardi, nga para e nga prapa, nga e majta dhe nga e djathta do të përcillej me anije policore që demonstronin praninë e tyre herë duke u larguar e herë duke u afruar, pa lejuar që të tjerat të na afroheshin…Kështu, pra, Amerika e kishte promovuar lider Rugovën, atëherë kur ai ishte në krye të një partie që brenda një kohe kishte arritur shumë, por askujt nuk i shkonte mendja se nga oreoli i asaj ngritjeje që dukej e pazakontë Rugova nuk do të shkëputej kurrë, për deri sa pas dhjetë vjetësh këtë edhe do ta arrijë. Atëherë e edhe më vonë, kur Rugova përnjëmend do të zgjedhet president i Kosovës, jashtë atyre mandateve kur edhe nga brenda e edhe nga jashtë quhej i vetëshpallur, vazhdimisht më kanë përcjellë fjalët e përgjegjësit të sigurimit, nga ato që do të m’i thotë ditën që do t’ia kthej bexhin dhe aparaturën e veçantë që m’i kishte lënë në dispozicion, që të mbaja kontaktet me Rugovën, se “ata që kishte përcjellë në atë mënyrë, herëdo kurdo kishin arritur postin e presidentit…”(Shkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1,botoi “Faik Konica”, 2008). /KultPlus.com