16 Nëntor, 2023 - 9:59 am
Paradës së madhe të shqiptarëve më 28 nëntor në Tiranë do t’i bashkohen edhe qindra shqiptarë nga Presheva.
Përmes një videomesazhi të postuar nga kryebashkiaku Veliaj, kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi bën thirrje për pjesëmarrje masive.
“Këtë vit, më 28 nëntor, familja e madhe e Unionit të bashkive shqiptare në rajon feston ndryshe. Qyteti i Preshevës, këtë 28 nëntor, për festën e madhe kombëtare do të jetë pjesë e spektaklit kuq e zi, të traditës e trashëgimisë sonë kulturore. Bashkë me vëllezërit dhe motrat nga të gjithë qytetet shqipfolëse, për të festuar për flamur, si asnjëherë më parë, në paradën dedikuar kulturës dhe historisë sonë të përbashkët. U bëj thirrje qytetarëve të Preshevës kudo janë dhe gjithë shqiptarëve të marrin me vete pak nga vendi e të tubohemi në tokën amë, në manifestimin e madh mbarëkombëtar, ku do të prezantohen vlerat kulturore të qyteteve tona. Në bulevardin “Dëshmorët kombit”, shihemi në Tiranë, më 28 nëntor. Mos mungoni!”, thekson Arifi. / atsh / KultPlus.com