20 Maj, 2021 - 1:49 pm
Në Presidencën e Kosovës, me iniciativë të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani ka nisë ekspozimi i veprave, që ka për qëllim promovimin e artistëve të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo iniciativë ka nisë me vendosjen e pikturës së piktores së re Yllka Leti, e cila nëpërmjet të artit të saj po e sensibilizon edhe shoqërinë kosovare për sëmundjen fibroza cistike.
Në këtë nismë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të mërkurën ka pritë në takim Ardianë Pajazitin, kryeredaktore e KultPlus dhe udhëheqëse e Galerisë “KultPlus Caffe Gallery”, piktoren Yllka Letin dhe Lindita Letin, e cila është nëna e Yllka Letit, por njëherit edhe nënkryetare e Shoqatës “Fibroza Cistike”, në Kosovë.
Kjo pritje nga ana e presidencës ka ardhë si rezultat i iniciativës së KultPlus Caffe Gallery, ku është hapë ekspozita e Yllka Letit, ekspozitë që ka karakter shitës, me qëllim të sigurimit të mjeteve për të blerë ilaçet, pasi që Yllka Leti vuan nga sëmundja fibroza cistike.
Ardiana Pajaziti në takimin me presidenten ka thënë që Yllka Leti ka kapërcyer vetveten duke u shndërruar në zërin e fëmijëve të shumtë të Kosovës që përballen me këtë sëmundje.
“Është për tu admiruar guximi i Yllka Letit, e cila është shndërruar në zërin e fëmijëve të cilët vuajnë nga e njëjta sëmundje, dhe në të njëjtën kohë po e sensibilizon shoqërinë kosovare për këtë sëmundje edhe nëpërmjet artit të saj”, ka thënë Pajaziti.
Kurse presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar nëpërmjet faqes zyrtare, e cila po mbështetë artin e artistëve me nismën e këtij prezantimi, por në të njëjtën kohë ka premtuar që do të punojnë fort për të mbështetur fëmijët me fibrozë cistike.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e presidentes së Vjosa Osmanit.
Dje filluam me ekspozimin e veprave të artit në Zyren e Presidentes së Republikës së Kosovës – një traditë që do e kultivojmë me shumë dashuri. Ekspozimi i veprave të artit, përveç se po e hijëshon këtë Zyre, po bëhet edhe me qëllim të promovimit të artistëve tanë dhe të ngritjes së vetëdijës për kauza të rëndësishme.
E veçanta e kësaj nisme është që piktura e parë që e kemi ekspozuar është piktura e Yllka Letit. Yllka, e cila është dashuria vet, që prej lindjes ballafaqohet me fibrozën cistike, e cila është një çrregullim gjenetik që prek më së shumti mushkëritë, por edhe mëlçinë, pankreasin, veshkat dhe zorrën. Në afat të gjatë, fibroza cistike shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe kollitje si rezultat i infeksioneve të shpeshta të mushkërive.
Në Kosovë janë 215 fëmijë të regjistruar me fibrozë cistike. Yllka u bë zëri i tyre përmes një ekspozite të mbajtur vitin e kaluar. Piktura e Yllkës i dha një frymë tjetër zyrës e do punojmë shumë fort për t’i dhënë frymë kauzës së saj, si dhe për të mbështur fëmijët me fibrozë cistike dhe familjet e tyre në vendin tonë./ KultPlus.com