Presidenca e Shqipërisë organizon aktivitetin ‘101 vjetori i Tiranës kryeqytet’

11 Shkurt, 2021 - 8:45 pm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Tirona Intelectum”, “Bashkësia Dibrane” si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!

Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen”, tha Meta.

Meta vlerëson arkeologun dhe politikanin e shquar, Neritan Ceka me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.

Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka”.

“Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”, tha Meta.

“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematikë të atij brezi, që u quajt i Pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste”, u shpreh Meta.

“Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare”, theksoi Meta. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme