24 Mars, 2024 - 5:24 pm
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka përkujtuar 24 Marsin e vitit 1999, ku 25 vite më parë NATO ndërhyri për të shënuar fundin e gjenocidit serb në Kosovë.
Presidenti Begaj ka thënë se ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi, duke krijuar kornizë të sigurtë për gjithë rajonin.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Presidentit Begaj:
Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA!
25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.
Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.
Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.
Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin.
Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.
Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.
Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.
Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!/KultPlus.com