Presidenti i FIFA-s thotë se vdekja e Florijanës është moment shumë i trishtueshëm për futbollin botëror

2 Korrik, 2019 - 11:03 pm

Presidenti i Federatës së Futbollit Botëror (FIFA), Gianni Infantino, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailit, duke theksuar se vdekja tragjike e 24-vjeçares është moment shumë i trishtueshëm për futbollin botëror.

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys, Florijana Ismailit, u gjet dhe u tërhoq sot nga Liqeni Como në Itali, dy ditë pasi ajo u raportua e zhdukur nga mikja e saj, shkruan gazetaexpress, përcjell Albinfo.ch.

Ajo u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali. 24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

Numri një i organit qeverisës së futbollit botëror ka shprehur ngushëllime për vdekjen e saj.

“Ky është një moment shumë i trishtueshëm për të gjithë komunitetin e futbollit, veçanërisht në një kohë kur ne jemi mbledhur në Kupën e Botës për Gra”, ka thënë Infantino.

Autoritetet pritet t’ia bëjnë një autopsi trupit të Florijanës para se ta dorëzojnë atë te familja Ismaili. Prindërit dhe vëllezërit e saj ndodhen ne Musso, qytetin ku ndodhi tragjedia, tash e disa ditë.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.

Të ngjajshme