Presidenti i Letonisë në Kosovë, presidentja Osmani kërkon mbështetje për rrugëtimin tonë drejt BE-së e NATO-s

22 Prill, 2022 - 1:51 pm

Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, Presidenti i Republikës së  Letonisë, Egils Levits erdhi sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Presidenti i Letonisë u prit me nderimet më të larta shtetërore.

Presidentja Osmani është shprehur se dy popujt tanë ndajnë një të kaluar të dhimbshme, nën regjime shtypëse dhe një luftë të gjatë për liri.

“Dy popujt tanë ndajnë një të kaluar të dhimbshme, nën regjime shtypëse dhe një lufte të gjatë për liri. Prandaj sot, si dy vende të lira dhe të pavarura, partneriteti jonë është i bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe në përkushtimin tonë për të kontribuuar për në një Evropë më paqësore dhe më të sigurt”, është shprehur Osmani.

Tutje Osmani është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Letonisë ndër vite.

“Kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Levits në rrugëtimin tonë drejt BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe e falënderoj për konfirmimin e mbështetjes së tij në këtë drejtim. Ne qëndrojmë të përkushtuar që të thellojmë bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen, dhe fusha tjera në dobi të të dy popujve tanë”, ka thënë tutje Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme