Presidenti i Maqedonisë e shoqëron në shkollë Ëmblën që u diskriminua për shkak të Down Syndrome (VIDEO)

7 Shkurt, 2022 - 2:38 pm

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka shoqëruar sot në shkollë Ëmbla Ademin, nxënësen me Sindromën Down, e cila e kishte e ndërprerë mësimin pasi prindërit e nxënësve që ishin në klasën e saj kishin bërë peticion që Ëmbla të largohet nga klasa.

Në videon e publikuar nga mediat maqedonase shihet se Pendarovski ka shkuar deri te banesa ku banon Ëmbla, dhe bashkë kanë shkuar në shkollën e saj.

Ndryshe, para katër ditësh Ëmbla i është kthyer sërish procesit mësimor. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqi, raporton gazeta express.

“Për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj”, ka shkruar ministri Shaqiri në Facebook.

Rastin e Ëbmlës e ka bërë publik babai i saj, Ilir Ademi, i cili pati publikuar në Facebook një foto të saj, ku shihej e vetme në klasë.

Sipas tij, arsye pse ajo gjendet e vetme në klasë është se prindërit nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë për shkak të vajzës së tij që është me Syndrome Down.

“Sot filloi gjysmëvjetori i dytë për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe moshatarët e vajzës time Ëmblën, vetëm Ëmbla jonë nuk e gëzoi këtë ditë sepse dikush ia ndalë këtë ndjesi, që mos të filloj me moshatarët e vet….derisa të gjithë gëzohen se fëmijët e tyre nisën gjysëmvjetorin e dytë, na si prindër të Ëmblës e mendojm kur do të filloj gjysëmvjetori i dytë për Ëmblën pasi që u bojkotua në gjysëmvjetorin e parë nga prindërit ( nënat) e moshatarëve të Ëmblës…me hajër na qoftë”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme