Presidenti kroat propozoi në samitin e NATO-s që Kosova të pranohet

24 Mars, 2022 - 3:27 pm

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Milanoviq këtë e ka thënë në deklaratat e tij pas samitit, raporton “Index.hr”.

“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq.

Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

I pyetur nga gazetarët nëse është thënë ndonjë gjë më e detajuar për Bosnjë-Hercegovinën, Milanoviq, duke marrë parasysh presionin rus ndaj këtij shteti, ka thënë: “Çfarë Serbia, nuk është nën presion rus? Nëse e do atë presion, atëherë le të jetë mbi ta. E Bosnjë-Hercegovina duhet që të rregullojë veten nga brenda pasi nuk ka zë unanim në këtë çështje”, tha Milanoviq.

Milanoviq tha se Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë.

“Serbia nuk është një shtet i krahut lindor, në fakt është në Evropën Qendror e. Ka zgjedhjet brenda pak ditëve dhe kam përshtypjen se ka qenë në krizë identiteti për një kohë të gjatë. Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë”, tha ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme