3 Shkurt, 2022 - 8:00 pm
Presidenti Ilir Meta i kërkoi Kryetares së Kuvendit Lindida Nikolla, kryetarëve të grupeve parlamentarë dhe deputetëve të Kuvendit për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Në letrën e drejtuar Kuvendit, Meta, argumentoi se viti 2022 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të familjes mbretërore shqiptare.
“Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion. Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane. Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rrisë, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë. Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”, shprehet Meta./ KultPlus.com