17 Shtator, 2021 - 7:30 pm
Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar, Selim Mborja (pas vdekjes).
Titulli i lartë u akordua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të vyer atdhetare dhe bamirëse, duke kontribuar jo vetëm financiarisht ndaj një sërë organizatash të rëndësishme shoqërore, gazetareske dhe sportive korçare, por edhe me mirënjohje të thellë ndaj gjestit të tij tejet human të dhurimit të truallit vetjak për ndërtimin e Spitalit të Korçës.”
Duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Korçës, Meta vlerësoi trashëgiminë mjaft të vyer që ka lënë për qytetin e Korçës, filantropi Selim Mborja.
“Selim Mborja i ka dhënë shumë qytetit të tij Korçës dhe padyshim Mborjes ku ai lindi, nga të cilat u detyrua të largohej dhe me të cilat e lidhi një dashuri dhe mall i madh i pashuar deri me ndarjen nga jeta. Veprimtaria e Selim Mborjes ka qenë intensive dhe e shumëanëshme, në periudhën 1920-1943, në trevën e Korçës dhe më gjerë, duke u bërë një prej donatorëve dhe bamirësve më të mëdhenj të kohës. Njëkohësisht Selim Mborja njihet si një nga sipërmarrësit e parë, por që aktivitetin e tij privat dhe ekonomik e kishte të lidhur me një ndërgjegje të lartë sociale”, vlerësoi Meta.
Presidenti vlerësoi se “ajo që e dallonte, Selim Mborjen përveç aftësive të tij si sipërmarrës, ishte dhembshuria dhe bamirësia ndaj më të varfërve e jetimëve të qytetit, ku ai nuk kursehej financiarisht”.
“Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, të pamundurve e të sëmurëve, si dhe në nderim e kujtim të babait e vëllait, Selim Mborja dhuroi tokën e tij për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Kjo e bën atë një filantrop të madh të kohës për trevën e Korçës. Shumë nga veprat dhe investimet e tij i kanë mbetur trashëgim Korçës. Edhe pse këto investime ishin të lidhura me interesat e tij ekonomike si sipërmarrës, bamirësia, humanizmi dhe dhembshuria e tij, për më të varfërit e jetimët, vinte nga zemra e tij bujare”, tha Presidenti. / KultPlus.com