30 Tetor, 2023 - 4:20 pm
Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të kolanës “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të”.
Botimi me pesë vëllime i Institutit të Historisë, bazuar në projektin e Ministrisë së Arsimit, është produkt i kërkimeve shkencore dhe kontributit i studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Gjatë fjalës së tij, Begaj vlerësoi përpjekjen për të risjellë të vërtetën e së shkuarës së Shqipërisë.
“Shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, është i një rëndësie të veçantë”, u shpreh Begaj.
Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX-të, sipas Presidentit i Republikës, është një panoramë historike e plotë.
“Marrëdhënia jonë me të kaluarën nuk ka qenë e lehtë. Prandaj shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë në përgjithësi dhe i asaj të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë në veçanti ka rëndësi”, theksoi Begaj.
Për sa u përket tentativave për deformimin e historisë së Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e shkrimit të së shkuarës nga historianët, të cilët garantojnë jo vetëm aplikimin e metodës shkencore, por edhe objektivitet, integritet dhe nevojën e ndërveprimit mes institucioneve kërkimore.
“Nëse më lejoni një analogji, “historia” është si një skulpturë, të cilën për ta njohur duhet ta shohësh nga këndvështrime të ndryshme. Ajo vërtet mund të shkruhet nga historianët, por kërkon kontributin e studiuesve nga fusha të ndryshme. Po aq rëndësi sa kanë ngjarjet politike në kuptimin e situatave të caktuara, ato do të mbesin si teka individuale, nëse nuk merren si pjesë e totalitetit të zhvillimit të një kombi, ku arti, kultura, gjuha, doket e zakonet luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm”, nënvizoi Begaj.
Duke iu referuar procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit vlerësoi se ky rrugëtim në kontekstin e njohjes së historisë, merr një kuptim të veçantë pasi është në një farë mënyrë kthim në origjinë.
“Prandaj është me rëndësi që tregimi i drejtë i narrativës së kombit tonë, të shihet nën dritën e përpjekjeve tona historike për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, me frymë evropiane”, tha Begaj.
Presidenti Begaj ritheksoi se pavarësisht pengesave dhe devijimeve, shqiptarët janë të vendosur për destinacionin drejt Evropës demokratike. / atsh / KultPlus.com