23 Qershor, 2022 - 10:43 am
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e ka cilësuar si historike ditën e sotme kur po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Duke folur në emër të eurodeputetëve, Metsola tha se liberalizimi i vizave për Kosovën dhe hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të ndodhin, raporton Gazeta Express.
“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve./ KultPlus.com