Presidentja i kthen përgjigje Kryesuesit Dehari: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni institucione

16 Prill, 2025 - 4:23 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë procese.

“Në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, i përgjigjem kërkesës suaj të pranuar sot në Presidencën e Republikës. Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë – dhe jo ta pengojnë – themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre”, është shprehur Osmani në letrën drejtuar Deharit.

Tutje, ajo është shprehur se një parim i tillë është mishëruar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila në Aktgjykimin e saj në Rastin Nr. K072/20, ndër të tjera përcakton se: “struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetë ejetësoshme dhe të bëjë të obligohet themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse”.

“Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin e institucioneve që burojnë nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv”, duke shtuar se qëllimi i sistemit të Kushtetutës është të themelojë institucione efektive”, ka shtuar ajo.

Presidentja është shprehur se në linjë me këtë, në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, në të cilin objekt shqyrtimi ka qenë seanca konstituive e Legjislaturës V, Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët e Kuvendit që në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e Rregullores së Kuvendit, ta gjejnë mënyrën për ta bërë Kuvendin funksional. Për më tepër, në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata ka përcaktuar se: “Kryesuesi që kryeson seancën konstituive, edhe pse nuk është i zgjedhur, është i obliguar me Kushtetutë dhe me Rregullore të Punës së Kuvendit për ta realizuar seancën konstituive”.

“Kosovës është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të veshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si Kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit”, është shprehur ajo./KultPlus.com

Të ngjajshme