6 Mars, 2025 - 11:55 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sot, në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e kuvendit Glauk Konjufca dhe disa ministra të qeverisë.
“Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharajve te Baca Rifat! Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo ka shkruar se familja Jashari, në kohët më të errëta kanë ndezur ditën e shpresës dhe në sfidat më të mëdha kanë gjetur forcën për të ecur përpara.
“Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com