15 Dhjetor, 2023 - 11:44 am
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend ka thënë se viti që po e lëmë pas ishte jo i lehtë për Kosovën.
Ajo tha se viti 2023 ishte vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, ku përmendi agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, për të cilin tha se ishte situata më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë.
“Një grup terrorist i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me plan të qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim i të gjithë rajonit”.
“Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”.
“Ky sulm i cili në vazhdën e ideve e planeve shoveniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë e fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të botës serbe”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
E para e shtetit tha se plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar, teksa tha se terroristët vranë rreshterin Afrim Bunjakun, ndaj i cili u bë dëshmori më i ri në historinë e Kosovës.
“Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e policisë sonë të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë, Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”.
“Askush dhe asgjë nuk do ta largoj Kosovën nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë s’do ta largojë Kosovën nga përpjekja e çdo ditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, tha Osmani./klankosova/KultPlus.com