31 Janar, 2025 - 2:06 pm
Në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.
Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shkruar se kujtojnë heronjtë të cilët hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
“Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo u shpreh se e kemi për detyrë që të mos e harrojmë idealin e tyre. Ajo ka shtuar se liria për të cilën ata dhanë jetën, duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata.
“Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!”, ka shkruar në fund Osmani./KultPlus.com