20 Maj, 2021 - 3:12 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të organizuar në Presidencë, ka dekoruar Gardën Kombëtare të IOWA-s, me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përcjellë KultPlus.
Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell.
Presidentja Osmani ka falënderuar Gardën Kombëtare të IOWA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së, duke e konsideruar këtë proces vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme me aleatin e përhershëm të Kosovës, SHBA-të. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja e FSK-së në misionin e paqeruajtës u bë e mundshme në saje të ftesës nga Komanda Qendrore, ndaj aktualisht pjesëtarë të saj ndodhen në një mision paqeruajtës krahas ushtarëve amerikanë në Kuvajt.
“FSK-ja, po zhvillohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tone”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ajo ka shfaqur besimin për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet të dy ushtrive në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal e më gjerë. / KultPlus.com