Presidentja Osmani dekoron post mortem pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, me Urdhrin “Hero i Kosovës”

13 Prill, 2024 - 11:10 am

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Presidentja Osmani, Urdhërin ia dorëzoi, vëllait të heroit, z. Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.

Presidentja Osmani theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyen Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. / KultPlus.com

Të ngjajshme