Presidentja Osmani dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari

26 Prill, 2025 - 4:38 pm

Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari.

Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:

Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan!

Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë.

Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.

Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje.

Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë.

Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!/ KultPlus.com

Të ngjajshme