Presidentja Osmani dhe ish-Presidenti Sejdiu, pjesëmarrës në funeralin e Martti Ahtisaarit (VIDEO/FOTO)

10 Nëntor, 2023 - 4:37 pm

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezentë më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.

Duke nderuar kujtimin për ish-presidentin Ahtisaari, Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”.

Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari.

Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Të ngjajshme