29 Maj, 2024 - 4:57 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim drejtoreshën e Korpusit për Paqe të SHBA-ve, Carol Spahn.
Gjatë takimit është diskutuar rreth misionit të këtij Korpusi në Kosovë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Korpusi i Paqes, këtë javë shënon 10 vjetorin e themelimit të misionit të tyre në Republikën e Kosovës, 10 vite shërbim të vullnetarëve amerikanë. Gjatë takimit diskutuam mbi misionin e jashtëzakonshëm të Korpusit të Paqes, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe nismat që kanë për qëllim përafrimin më të madh të popujve tanë. Korpusi i Paqes është personifikimi më i mirë i partneritetit mes SHBA-ve dhe Kosovës. Një investim i tillë nga ana juaj ndikon në impakt afatgjatë në Kosovë. Ky mision ka ndihmuar në shkrimin e një kapitulli të ardhshëm të historisë tonë të përbashkët”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Ndërsa, drejtoresha e Korpusit për Paqe të SHBA-ve, Carol Spahn deklaroi se për 10 vite, 220 vullnetarë të tyre kanë shërbyer në Kosovë.
“Prej vitit 2014 më shumë se 220 vullnetarë kanë ardhur për të ndërtuar ura të mirëkuptimit. Populli i Kosovës i ka mirëpritur vullnetarët tanë në shkolla e shtëpi. Së bashku vullnetarët kanë ndihmuar në shtytjen përpara të projekteve që udhëhiqen nga komunitetet”, tha ajo.
Pas takimit u tha se Kosova dhe Korpusi i Paqes do të vazhdojnë bashkëpunimin për të mirën e dy popujve dhe mbrojtjen e vlerave që i bashkojnë ato.