24 Mars, 2025 - 12:19 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kanë qenë në Gllogjan për të kujtuar dhe nderuar Epopenë e Dukagjinit.
“Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shtuar se përulen para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë.
“Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!”, ka shtuar Osmani në fund./KultPlus.com